Sot, nxënësit tanë të Gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Drenas, në kuadër të projektit Promovimi i Vlerave Humane, i organizuar nga Kryqi i Kuq i Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit, realizuan një vizitë me shumë domethënie në Qendrën për të Drejtat e Grave (QPDG) në Drenas.
Të mbeshtetur me idenë e psikologes së shkollës znj. Ganimete Shala Gjokaj, e te shoqeruar edhe nga Nuhi Nika dhe përfaqësuesi i Kryqit të Kuq, Egzon Morina, nxënësit tanë u pritën ngrohtësisht nga drejtoresha e qendrës znj. Kadire Tahiri dhe stafi i saj mbështetës.
Vizita u realizua në kuadër të projektit vetëdijësues “Dhuna prodhon dhunë, ne japim paqe”, gjatë së cilës nxënësit dhuruan një donacion simbolik me karakter moral dhe financiar, për të mbështetur gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mjetet e siguruara janë rezultat i angazhimit dhe iniciativës së vet nxënësve, të cilët me përkushtim kanë ndërtuar këtë kontribut nga buxheti i fituar përmes projektit.
Ky veprim u mirëprit dhe u vlerësua lart nga drejtoresha Tahiri, e cila theksoi rëndësinë e përkrahjes dhe sensibilizimit, ndërsa përmes një komunikimi konfidencial ndau përvoja që ndikuan thellësisht tek të rinjtë tanë, kjo na preku edhe me shume dhe na dha kurajo që vazhdojme te ngrisim zë kur mesuam se viktimë e dhunes seksuale te luftes ne Kosove ishte nje vajzë e moshes vetem 9 vjeqare .
Ky aksion nuk ishte vetëm një gjest ndihme, por edhe një nxitje e ndjenjës së përgjegjësisë sociale tek adoleshentët, si dhe një model se si të rinjtë tanë mund të jenë qytetarë aktivë dhe mbështetës të drejtësisë sociale. Kontributi i tyre synon jo vetëm ndihmë të drejtpërdrejtë, por edhe zhdukjen e stigmes dhe paragjykimeve që këto gra përjetojnë në shoqërinë tonë.
Krenarë për të rinjtë tanë që po ndërtojnë një të ardhme më të ndjeshme, më të drejtë dhe më humane!




