“Nje dhurate që ndryshoi çdo gje”
Nata kishte qenë e gjatë për Taulantin. Edhe pse ishte lodhur gjatë ditës, emocionet nuk e lanë të flinte. Zemra i rrihte fort, sikur e ndiente që e nesërmja do të ishte ndryshe.
Kur rrezet e para të diellit përshëndetën dhomën e tij të vogël, ai u ngrit me shpresën që mbante gjithmonë me vete. Jeta nuk kishte qenë e lehtë. Çdo ditë ishte një betejë mes kufizimeve dhe ëndrrave. Karroca e tij e vjetër , rrotat i kërcisnin në çdo gur të rrugës, dhe duart i kishte të lodhura nga mundimi i përditshëm. Por ai nuk ishte dorëzuar kurrë. Në mesditë, një zhurmë u dëgjua jashtë. Një makinë u ndal para shtëpisë së tij. Taulanti nuk e dinte çfarë po ndodhte, por ndjeu diçka të pazakontë në ajër. Pastaj, dera u hap dhe…
Një karrocë elektrike! E re, e shndritshme, e fuqishme! Një dhuratë që i ndryshoi botën në një sekondë.
Taulanti ngriti duart drejt fytyrës, duke mos besuar atë që po shihte. Lotët i rrëshqitën në faqe, por këtë herë nuk ishin lot trishtimi, ishin lot gëzimi. Ai preku me duart e dridhura krahët e karrocës, sikur të prekte një ëndërr që më në fund ishte bërë realitet.
Kur u ul mbi të dhe preku butësisht komandën, diçka brenda tij u ndez. Karroca nisi të lëvizte butë, pa mundim, pa dhimbje. Për herë të parë, nuk kishte nevojë të luftonte për çdo metër. Ai nuk ishte më i kufizuar. Ai nuk ishte më i burgosur në trupin e tij.
Vullnetaret që ia dhuruan këtë mrekulli e shikonin me buzëqeshje. Në atë moment, ai kuptoi se bota nuk ishte më një vend i paarritshëm. Ai mund të dilte, të shkonte ku të donte, të ndihej si të gjithë të tjerët.
Dhe kur për herë të parë doli jashtë me karrocen elektrike, duke lëvizur lirshëm në rrugët që dikur i dukej sikur e burgosnin, ai ngriti kokën lart drejt qiellit. Sot, ëndrrat e tij nuk ishin më të lidhura pas kufizimeve. Sot, ëndrrat e tij kishin marrë krahë.
Sot nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjeksisë Elena Gjika përkatësisht vullnetarët e degës së Kryqit të Kuq Ferizaj në kuadër të projektit Promovimi i Vlerave Humane, dhuruan një karrocë elektrike për Taulanti anëtar i shoqatës Handikos Ferizaj.
