Promovimi i Vlerave Humane – Një Nismë e Veçantë nga “Dritë në Heshtje”
Në kuadër të projektit “Promovimi i Vlerave Humane” nga Kryqi i Kuq, (projekt i cili po zhvillohet në bashkpunim me dy diseminatorët Kastriot Sadiku dhe Vlerime Hashani) sot në shkollën tonë patëm kënaqësinë të mirëpresim nxënësit e gjimnazit “17 Shkurti” në Obiliq, konkretisht grupin “Dritë në Heshtje”, të cilët kanë ndërmarrë një nismë të jashtëzakonshme në mbështetje të personave me vështirësi në të parit, dëgjuarit dhe të folurit.
Gjatë këtij takimi, liderja e grupit, Eda Bunjaku, e shoqëruar nga anëtarët e tjerë të grupit, na prezantoi me idenë dhe punën e tyre, duke u fokusuar veçanërisht te personat me vështirësi në të folur që ka shkolla jonë. Në këtë iniciativë, ata kanë bashkëpunuar me logopeden znj. Mirgena Preniqi dhe psikologen e shkollës, znj. Miranda Thaçi, për të identifikuar dhe ndihmuar një nxënës që ka nevojë për trajtim logopedik.
Falë angazhimit të vazhdueshëm dhe ideve kreative, grupi “Dritë në Heshtje” ka siguruar mjete financiare për të mbështetur pagesën e logopedes znj. Mirgena, duke bërë kështu një hap konkret drejt përfshirjes, promovimit të vlerave humane dhe barazisë për të gjithë.
Kjo nismë është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit dhe përkushtimit për të krijuar një shoqëri më të drejtë dhe më mbështetëse për të gjithë. Urime grupit për këtë punë të jashtëzakonshme dhe falënderime për të gjithë ata që kontribuojnë në realizimin e kësaj kauze fisnike!
Milloshevë
04.04.2025